Edhe dita e fundit e shkurtit nuk solli një zgjidhje për dosjen e “21 Janarit”, një çështje që me gjithë ndjeshmërinë, publiku nuk di asgjë për fatin e saj, përveç datës 28 tetor 2013, kur u hodh edhe shorti.
Jo pak herë përgjatë kësaj kohe, zyra e shtypit në Gjykatën e Lartë ka konfirmuar se “21 Janari” për të cilën është nën akuzë për vrasje ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, do t’i jepet një rrugëzgjidhje brenda shkurtit 2016.
Por Kolegji Penal i kryesuar nga Edmond Ismalaj nuk ka vendosur as brenda këtij muaji se çfarë do të bëje me rekursin e prokurorisë, nëse do ta kalojnë për gjykim apo do lihet në fuqi vendimi i Apelit, që vendosi një vit burg për Ndrea Prendin dhe tre vjet burg për Agim Llupon.
Gjykata e Lartë shpjegon se kolegji vijon të jetë në dhomë këshillimi dhe ende nuk ka një vendimmarrje për shkak të volumit të dosjes.
Në kushtet kur anëtarët e kolegjit penal vijojnë të këshillohen me njëri-tjetrin, kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori në dy raste ka dalë publikisht duke dhënë mesazhin se dosja është pranë zgjidhjes.
Një reagim mbase diplomatik i kreut të gjykatës, i cili mesa duket po pret përfundimin e “21 Janarit”. Por në pamundësi për të ndërhyrë apo për të kërkuar llogari se përse dosja vijon të jetë nën statusin e studimit nga anëtarët, ka zgjedhur një mënyrë tjetër duke vendosur afate të cilat sërish nuk u përfillën nga anëtarët.
Për Ndrea Prendin prokuroria kërkoi 23 vite burg për vrasjen e Faik Myrtajt, por ai u dënua me një vit burgim. Ndërsa për gardistin Agim Llupo u kërkuan 25 vjet burgim për akuzën e vrasjes së demonstruesit Ziver Veizi, ndërkohë që u dënua me 3 vjet burg.
Tre vjet nga vrasjet në bulevard të 4 demonstruesve vijojnë të mbeten pa autorë vrasjet e Hekruan Dedës dhe Aleks Nikës, si edhe 6 plagosje.
Top Channel