Rusi, regjistrohet incidenti më i rëndë në miniera; 36 prezumohen të vdekur

28/02/2016 00:00

Plot 36 persona, përfshi edhe 5 punonjës të kërkim-shpëtimit, prezumohen të vdekur pas një shpërthimi të fuqishëm në një minierë qymyrguri në veri të Rusisë.

Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare, të cilët saktësojnë se 4 prej minatorëve u vranë nga rrjedhja e metanit, që shkaktoi edhe dy shpërthime të fuqishme të njëpasnjëshme në minierën e Vorkutës, gjatë së enjtes.

Punonjësit e kërkimit, që hynë menjëherë në minierë për të shpëtuar 26 minatorët e bllokuar, u goditën nga një tjetër shpërthim i tretë, prej të cilit humbën jetën 5 kërkues dhe një minator.

Operacioni i kërkimit është ndalur tashmë, ndërsa personat e pagjetur janë prezumuar të vdekur. Ky incident është një nga më të rëndët e ndodhur gjatë kohëve të fundit në ndonjë minierë të Rusisë.

“Rrethanat në pjesën e minierës të prekur nga shpërthimet nuk e bëjnë të mundur mbijetesën e ndokujt”, tha ministri rus i Emergjencave, Vladimir Puchkov. “Në nëntokë, ku gjendeshin 26 minatorët, ka temperatura tepër të larta dhe aspak oksigjen”, shtoi ai.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, “Itar TASS”, të gjithë punonjësve të kërkim-shpëtimit që mbetën të vrarë apo të plagosur në këtë operacion do t’u akordohen çmime shtetërore.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta