Protestë e refugjatëve në Greqi, Athina: Presim rritje të fluksit

28/02/2016 17:35

Duke krijuar një zinxhir njerëzor me trupat e tyre, dhjetra refugjatë që ndodhen të bllokuar në kufirin greko-maqedonas, pranë fshatit Idhomeni, protestojnë për refuzimin e qeverisë së Shkupit për të hapur korridorin e vetëm  për ta në këtë moment drejt Europës.

Qindra të tjerë, nga 6500 që ndodhen në këtë pikë kufitare në kushte çnjerëzore, kanë bllokuar përkohësisht linjën hekurudhore që lidh dy vendet duke hedhur parrulla si “Hapni kufirin”, “Jemi njerëz e jo kafshë”. Ditën e shtunë, vetëm 300 vetë kanë kaluar drejt Shkupit, ndërsa qindra të tjerë vazhdojnë të dynden në kufirin greko-maqedonas duke përshkuar rrugët e Greqisë në këmbë.

Ndërkohë, ministri grek i Emigracionit ka pohuar orët e fundit se Greqia i ka dorëzuar BE-së një plan emergjence ku i kërkon edhe 450 milionë euro, pasi situata e krijuar nga mbyllja e kufijve me Maqedoninë tejkalon mundësitë ekonomike të Athinës për përballimin e saj.

Sipas tij, në Greqi ndodhen të paktën 22000 refugjatë, por vlerëson se në dy-tre javët e ardhshme ky numër do të shkojë nga 50 deri në 70 mijë vetë, të cilët, sipas planit do të strehohen në rreth 20-30 qendra të përkohshme të shpërndara në gjithë vendin.

Për shkak se të gjithë udhëtojnë drejt Veriut, në disa zona pranë Selanikut do ngrihen, ka thënë ai, edhe katër pika pritje të reja, të ashtuquajturat ‘hot spote’ për regjistrimin dhe identifikimin e tyre.

Gjithashtu, ministri grek ka deklaruar se duke parë kufijtë e mbyllur, portin e mbipopulluar të Pireut, shumë sheshe të zaptuara në Athinë, kampet tej kapacitetit të krijuara deri në këto momente shumë emigrantë, do kërkojnë të kthehen, ndërsa edhe fillimi i operacioneve të NATO-s në orët e fundit do të nisë të japë frutet e veta duke reduktuar deri në 70 përqind fluksin e refugjatëve nga Turqia drejt Greqisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA