
Të paktën 5 persona u plagosën me armë të ftohta në qytetin Anaheim të Kalifornisë, pas përleshjeve mes anëtarëve të “Ku Klux Klan” dhe protestuesve rivalë. 13 persona të tjerë, pjesëtarë të “Ku Klux Klan” dhe demonstruesve rivalë, u arrestuan.
Dhuna shpërtheu, kur anëtarë të organizatës “KKK” mbërritën në një park të zonës, për një miting të paralajmëruar dhe ata u sulmuan nga protestues të shumtë, që ishin grumbuallur aty.
Sipas medieve vendase, një prej të plagosurve është në gjendje serioze për jetën. Dëshmitarë okularë thanë se, prej orësh, protestues të shumtë prisnin mbërritjen e anëtarëve të “Ku Klux Klanit” dhe, sapo këta të fundit zbritën nga mjetet e tyre, u sulmuan.
Pas dhunës, shumë prej protestuesve kundër klanit thanë se, ishin përpjekur që të ndalonin përleshjen dhe se, në SHBA ka liri fjale për të gjithë, qoftë edhe për ata që i përkasin grupeve si “KKK”.
“Ku Klux Klan” është një prej grupeve më të vjetra dhe më famëkeqe raciste në SHBA, teksa kanë shënjestruar afroamerikanët, hebrejtë, katolikët dhe emigrantët për dekada. Në Anaheim, ky grup ka një histori të gjatë, ndërkohë që anëtarë të tij janë zgjedhur në të shkuarën edhe në Këshillin Bashkiak.
Top Channel