Iran, reformistët sigurojnë të 30 deputetët e Teheranit

28/02/2016 00:00

Aleatët e presidentit reformator iranian, Hassan Rouhani, kanë siguruar një fitore bindëse në Teheran, në zgjedhjet e para pas marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore.

Me thuasje të gjitha votat e numëruara, “Lista e shpresës” që mbështet Rouhanin duket se ka marrë të 30 deputetët e kryeqytetit. Kandidati kryesor i konservatorëve, Gholamali Haddad-Adel është në vendin e 31-të.

Miliona iranianë votuan të premten për të zgjedhur 290 deputetët e Parlamentit dhe anëtarët e Asamblesë së Ekspertëve. Kjo asamble me 88 anëtarë zgjedh udhëheqësin suprem të Iranit dhe mund t’i duhet të zgjedhë pasardhësin e Ajatollahut Ali Khamenei, i cili së fundmi ka pasur probleme shëndetësore.

Rezultatet paraprake tregojnë se, ish-Presidenti iranian Akbar Hashemi Rafsanjani, një konservator i moderuar, dhe Presidenti aktual Hassan Rouhani kanë marrë më shumë vota për asamblenë, e cila përbëhet kryesisht nga klerikë dhe politikanë veteranë.

Në kontrast me këtë, kandidati kryesor i radikalëve islamikë, Ajatollahu Taghi Mesbah Yazdi gjendet thuajse në fund të listës. Analistët thonë se, rezultatet parlamentare në Teheran kanë shumë rëndësi, pasi deputetët e kryeqytetit janë ata, që zakonisht përcaktojnë drejtimin politik të legjislativit.

Megjithatë, duket se reformistët nuk kanë dalë kaq mirë në zonat rurale, ndaj dhe analistët mendojnë se këto zgjedhje mund të sjellin më shumë ndarje, sesa unitet brenda politikbërjes iraniane.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta