Kryebashkiaku Erion Veliaj, në përfundim të takimit me përfaqësuesit e biznesit, në fokus të të cilit ka qenë çështja e taksave për këtë kategori, ka deklaruar se palët kanë arritur një marrëveshje.
“Kemi vendosur të paraqesim propozimet, disa gjëra që i kemi në dorë mund t’i modifikojmë. Ftoj tregtarët që të ndajnë kërkesat e tyre, pasi hapësira jashtë biznesit nuk është pa zot”, ka thënë Veliaj.
Një mënyrë sipas tij është që, “për hapësirat publike disa biznese t’i paguajnë taksat në mënyrë sezonale”.
“Nuk do të lejoj që rrugët e qytetit të bëhen treg rrobash. Nuk do të lejoj që Tirana të bëhet si Kabuli, kam ofertën për ta bërë europiane”, ka thënë më tej Veliaj.
Ai ka shtuar se u ka kërkuar përfaqësuesve të biznesit që të bëjnë një listë se çfarë duan realisht. “Për periudhën janar-shkurt mund të bëjmë një dakordësim, nëse duan faturimin e vjetër”, ka shtuar kreu i bashkisë.
Ndërsa përfaqësues të bizneseve të ndryshme kanë deklaruar se ditën e hënë do të paraqesin propozimet e tyre. Ata kanë vlerësuar diskutimin e zhvilluar me kryetarin e bashkisë, por kanë theksuar se, asgjë nuk ka mbaruar dhe se janë në pritje të negociatave.
Top Channel