Hillary Clinton dhe Bernie Sanders po përballen në garën elektorale në Karolinën e Jugut, beteja e radhës mes demokratëve për të fituar nominimin e kandidatit për president.
Zonja Clinton shihet si favorite në këtë shtet, por në prag të votimit, Sanders siguroi mbështetjen e Robert Reich, një ish-pjesëtar i administratës presidenciale të Bill Clinton.
Të dy rivalët shpresojnë të sigurojnë avantazhin e momentit, përpara asaj që njihet si “Super e Marta”, që kur zgjedhjet do të mbahen në 11 shtete.
Karolina e Jugut është gara e katërt për demokratët që nga fillimi i primareve më 1 shkurt.
“Zgjedhjet primare në Karolinën e Jugut janë të një rëndësie personale për mua, sepse dua të dërgoj mesazhin e qartë se ky shtet është gati për ndryshimin, gati për progres, gati për të bërë diferencën”, tha 68-vjecarja Clinton në një miting në kryeqytetin Kolumbia, ditën e premte.
Tetë vite më parë, ajo humbi në këtë shtet përballë senatorit të atëhershëm Barack Obama, sot president i Shteteve të Bashkuara.
Vëzhguesit deklarojnë se, një fitore në këtë shtet do ta kthente Clinton në figurën kryesore mes votuesve me ngjyrë, një seksion ky i veçantë për elektoratin demokrat, si dhe në një pozitë të favorshme në garat e së martës.
Top Channel