Ministrat e Financave të 20 vendeve më të industrializuara të botës paralajmërojnë për një “tronditje nga themelet” të ekonomisë botërore nëse Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Europian.
Në deklaratën e përbashkët, të lëshuar në fundin e takimit dyditor në Kinë, ministrat përcollën një qëndrim unanim: Brexit-i do t’i kushtojë rëndë ekonomisë botërore.
“Nëse pasojat në rang global do të jenë kaq të mëdha, imagjinoni pastaj se çfarë mund t’i ndodhë vetë Britanisë”, tha për BBC-në përgjegjësi i financave angleze, George Osborne.
“Ky nuk është një udhëtim aventure drejt së panjohurës. Me gjithë humorin që mund t’i bashkangjitet kësaj çështjeje, ajo është tmerrësisht serioze”, vijoi Osborne.
I shpejtë ka qenë reagimi i liderit të UKIP-it, Nigel Farage, të cilin deklarata e G20-s nuk e ka çuditur aspak. “Janë shokët që ndihmojnë njëri-tjetrin”, u shpreh ai plot doza ironie, “nuk më habit fakti që qeveritë kryesore mblidhen bashkë për të ndihmuar David Cameronin”.
“Janë bankat e mëdha në lojë, bizneset e mëdha, shtetet e fuqishme që i mbrojnë shpatullat njëri-tjetrit, por kjo nuk i bën përshtypje votuesve”, shton Farage.
Vetë Cameron ndërkohë ka mbërritur në Irlandën e Veriut si pjesë e turit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, qëllimi i të cilit është të bindë zgjedhësit se qëndrimi në një Bashkim Europian të reformuar është më së pari në interesin e tyre.
Top Channel