Iran, rezultatet paraprake: reformatorët në “ekspansion”

27/02/2016 18:05

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Iran tregojnë një rritje domethënëse të reformatorëve, të cilët duket se kanë fituar ndjeshëm terren ndaj kundërshtarëve konservatorë.

Përkrahja e dhënë presidentit Hasan Rouhani përbën për të moderuarit rezultatin më të mirë në 12 vjet. Me të gjitha gjasat, ajo është pasojë e marrëveshjes së arritur me fuqitë botërore mbi programin atomik të vendit, e cila i dha fund sanksioneve ekonomike.

Rouhani dhe ish-presidenti Akbar Hashemi Rafsanjani kryesojnë garën për 88 anëtarët e Asamblesë së Ekspertëve, organi fetar që cakton liderin suprem të Republikës Islamike.

Në proces numërimi janë edhe votat për Parlamentin e ri të vendit, por rezultati i zgjedhjeve parlamentare do të kërkojë më shumë kohë sesa ai i Asamblesë së Ekspertëve.

Oraret e votime të premten u shtynë plot tre herë, pasi turma të mëdha njerëzish kishin mbushur qendrat e votimit, ndaj lindi nevoja që qendrat e votimit të qëndronin të hapura përtej afatit. Pjesëmarrja llogaritet të ketë qenë më shumë se 60%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA