Somali, militantët bastisin hotelin në Mogadishu; 9 të vrarë

26/02/2016 21:35

Militantë islamikë kanë bastisur një hotel në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, duke lënë të paktën 9 persona të vdekur. Sulmi është marrë përsipër nga grupi Al Shabab.

Atentatorët hodhën në erë një auto-bombë të vendosur jashtë hotelit “Youth League” përpara se të hynin brenda dhe të hapnin zjarr.

Ndërkohë, një shpërthim tjetër është verifikuar në një park popullor të kryeqytetit somalez, i njohur si “Kopshti i Paqes”.

Policia deklaron se sulmi aktualisht ka përfunduar pasi forcat e sigurisë kanë qëlluar dhe vrarë katër agresorë. Al Shabab, një grup i lidhur me Al Kaedën, ka ndërmarrë një fushatë rebelimi të armatosur në Somali.

Korrespondenti i BBC në Mogadishu, Ibrahim Aden ka deklaruar se shpërthimi i fuqishëm u dëgjua gjatë orëve të pasdites dhe u pasua nga të shtëna armësh zjarri. Sipas gazetarit, 40 minuta pas shpërthimit të parë u dëgjua i dyti, që kishte të njëjtën fuqi.

Hoteli i sulmuar ndodhet afër pallatit presidencial dhe është gjatë gjithë kohës i populluar nga personel i institucioneve shtetërore.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta