Obama i bën thirrje Rusisë dhe Sirisë: Respektoni armëpushimin!

26/02/2016 10:20

Disa orë përpara se armëpushimi i pjesshëm i Sirisë të hyjë në fuqi, Barack Obama paralajmëroi Rusinë dhe Damaskun t`i qëndrojnë angazhimit të marrë e të ndërpresin sulmet.

Bota do t`i ketë sytë nga ju, tha presidenti amerikan, që edhe vetë është treguar sidoqoftë i matur në shprehjen e entuziasmit mbi suksesin e kësaj nisme. 

“Edhe në rrethanat më të mira të mundshme, ne sërish nuk presim që dhuna të marrë fund menjëherë. Në fakt, kemi një lloj bindjeje se luftime do të ketë akoma, veçanërisht nga miliantët e ISIS-it që nuk është kalifat, por një qerthull krimi”, tha Obama.

Më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se shpreson që Amerika ta respektojë armëpushimin. Arsyeja e paralajmërimit të dërguar në mënyrë të veçantë Moskës dhe Damaskut i detyrohet faktit që zyrtarët amerikanë nuk e përjashtojnë mundësinë e një shkeljeje të pushimzjarrit nga forcat ruse dhe ato siriane. Për këtë çështje nuk ka pritshmëri, ka pesimizëm, i tha agjensisë franceze të lajmeve AFP një zyrtar i lartë në Uashington.

Komentet e Obamës erdhën pak pasi i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura e përshkroi të premten si një ditë vendimtare për krizën e Sirisë. 17 vende mbështetëse të procesit të paqes duhet të takohen më vonë gjatë ditës në qytetin zviceran të Gjenevës për të negociuar detajet e armëpushimit.

De Mistura duhet të njoftojë gjithashtu dhe datën e mbajtjes së raundit të ri të negociatave të paqes mes palëve të përfshira në konflikt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA