Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian u pajtuan për forcimin e kontrollit sistematik në kufirin e jashtëm, një vendim që prek qytetarët europianë sesa shtetasit e vendeve të treta.
“Këshilli u pajtua për forcimin e kontrolleve në kufijtë tanë të jashtëm. Do të kontrollohen të gjithë ata, që hyjnë, ose dalin nga Bashkimi Europian, përfshirë europianët, pasi na duhet të përcaktojmë nëse ata përbëjnë ose jo një kërcënim për sigurinë tonë. Për këtë arsye ramë dakord për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kod”, deklaroi Sekretari holandez për Drejtësinë dhe Sigurinë, Klaas Dijkhoff.
Të mbledhur në Bruksel, pas takimit të Vjenës, ministrat e Brendshëm të BE-së, ftuan për “një mëngjes pune” dhe homologët e tyre nga Serbia e Maqedonia, për të biseduar mbi zbatimin e qasjes europiane në vend të veprimeve nacionale, që synojnë kufizim të numrit të azilkërkuesve.
“Rruga përgjatë Ballkanit Perëndimor është në një situatë kritike. Mundësitë për një krizë humanitare të një shkalle të lartë janë reale dhe shumë pranë. Ne nuk mund të vazhdojmë trajtimin me veprime të njëanshme, bilaterale apo trepalëshe. Ndikimi dhe efektet negative për këtë janë të dukshme tashmë. Ne të gjithë ndajmë përgjegjësi ndaj vendeve fqinje, qofshin vende anëtare ose jo të BE-së”, u shpreh Dimitris Avramopulos, Komisioner i BE për Migracionin e Çështjet e brendshme.
“Disa prej vendeve kanë marrë masa kufitare të njëanshme. E kuptoj presionin nga fluksi i madh, që shtyn vendet për të marrë masa, por këto masa duhet të komunikohen dhe të koordinohen më mirë. U pajtuam se nga sot e tutje, të gjitha vendet e prekura duhet të përfshihen kur merren të tilla masa, apo ka shtrëngime të mëtejshme, pasi ato kanë ndikim tek vendet e tjera përgjatë kësaj rruge. Jemi të vetëdijshëm për pasojat humanitare që mund të sjellin këto vendime”, deklaroi Dijkhoff.
Top Channel