Miliona iranianë po votojnë në dy zgjedhje kyçe: ato të Parlamentit të ri të vendit dhe zgjedhjen e Asamblesë së Ekspertëve, organi fetar që cakton më pas liderin suprem të Republikës Islamike.
Këto janë të parat votime që prej vulosjes së marrëveshjes me fuqitë botërore që solli dhe heqjen e sanksioneve gjunjëzuese ekonomike. Reformatorët shpresojnë të rrisin influencën e tyre në të dy institucionet e dominuara aktualisht nga konservatorët. Mendohet se rezultati i votimeve mund të prekë shanset e presidentit reformues Hassan Rouhani për një mandat të ri në vitin 2017. Lideri suprem, ajatollahu Ali Khamenei bëri apel për pjesëmarrje masive në zgjedhje sepse në këtë mënyrë, tha ai, do t’i zhgënjejmë thellë armiqtë tanë.
“Të gjithë ata që e duan Iranin, që duan dinjitetin, madhështinë dhe lavdinë e tij, duhet të votojnë. Irani ka armiq. Ata na shohin me lakmi. Njerëzit duhet të jenë të vëmendshëm e të votojnë me sytë e hapur dhe me mençuri”, tha Khamenei.
Zgjedhjet parlamentare do të përcaktojnë cilët do të jenë 290 ligjvënësit e rinj për katër vjet. Në lista janë regjistruar rreth 12.000 kandidatë potencialë, por vetëm gjysma u gjetën të përshtatshëm për të vazhduar nga Këshilli i Gardianëve, organi më i rëndësishëm besnik i liderit shpirtëror të vendit. Nga këto votime do të zgjidhen gjithashtu dhe 88 klerikët e Asamblesë së Ekspertëve, mandati i të cilëve është 8-vjeçar.
Të drejtën e votës e kanë 55 milionë iranianë.
Top Channel