Zgjedhjet parlamentare në Holandë, ekstremi i djathtë i dyti, surprizë në vendin e parë
Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se ekonomia globale është dobësuar edhe më shumë dhe është shumë e cenueshme nga tronditjet e befta. Sipas këtij organizmi, dobësimi i ekonomisë pasoi trazirat financiare gjithnjë e në rritje dhe uljen e çmimeve të aseteve.
Raporti i FMN vjen para takimit të ministrave të Financave të vendeve të G20-s dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore që do të zhvillohet në Shangai. Sipas FMN, ngadalësimi i rritjes ekonomike të Kinës është një faktor shtesë në shqetësimet për ekonominë globale.
Aktualisht, ekonomia e Kinës, e dyta më e madhe në botë, po rritet me ritmet më të ngadalta në 25 vjet. FMN bëri me dije se rritja ekonomike në vendet e zhvilluar është shumë modeste, pasi kërkesa e ulët në disa vende dhe ulja e potencialit të zhvillimit në shumë të tjera po ndalojnë rimëkëmbjen.
FMN thekson se perspektiva e ardhshme për rritje globale mund të dëmtohet ndjeshëm nga luhatjet e tregjeve, ulja e çmimit të naftës dhe konfliktet gjeopolitike.
Ky organizëm i bëri thirrje grupit të G20-s që të krijojë mekanizma të reja për të mbrojtur vendet më të prekshme nga këto probleme. Më herët, FMN uli parashikimin e tij për rritjen globale ekonomike. Për vitin 2016, kjo rritje pritet të jetë 3,4%, ndërsa për 2017 3,6%.
Top Channel