Avokatët e varfër, të rinj dhe ambiciozë mbështesin grevën

26/02/2016 20:10

Antoneta Lala e kishte ëndërr të bëhej avokate. Por duket se ky treg është tepër i ashpër për të rinjtë si ajo.

Në pamundësi për të marrë një zyrë të vetën e për të siguruar klientë të fuqishëm, ajo u regjistrua si avokate kryesisht, duke përfaqësuar prej gati 2 vitesh të pandehurit në pamundësi financiare.

Ajo paguhet nga shteti me 3 mijë lekë për proces. Megjithëse ministri i Drejtësisë ka bërë apel që avokatët kryesisht të mos bëhen pjesë e bojkotit, vajza nga Dibra u bashkua me kolegët e saj, por vetëm për çëshjte etike thotë se ka qenë e pranishme  në gjykatë, për të përfaqësuar të varfrit në masa sigurie.

“Nëse do të jetë kjo pagesë ekstremisht e lartë, do të jem e detyruar të mbyll licencën. Shteti paguan një herë në tre muaj pagesat e gjykatës, ndërsa ne jemi të detyruar të bëjmë pagesat e çdo muaji dhe të paguajmë TVSH-në çdo muaj”, shprehet Antoneta Lala.

Të vështirë e ka edhe Arnida Capi, që ushtron profesionin e avokatit prej 5 vjetësh. Per shkak të qirasë së lartë të zyrës, ajo i ndan shpenzimet me një kolege bashkëmoshatare, e tashmë me ndryshimet në ligj ky profesion do ketë kosto akoma më të larta.

“Në një situatë të tillë moskonkurrence të ndershme, mes një avokati të konsoliduar në karrierë dhe një avokati të ri, do të sillte patjetër një pasojë falimentimi për të, pasoja tjetër do të ishte ndryshimi i tarifave”m shprehet Arnida Capi.

Si këto dy avokate,  Dhoma Kombëtare e Avokatisë, thotë se rrezikojnë me ndryshimin e taksës edhe 1200 avokatë të rinj, si dhe 140 avokatë kryesisht, të cilët paguhen nga shteti.

Në të gjithë vendin kanë licencën e avokatit 8000 persona, por e ushtrojnë këtë profesion vetëm 2400 prej tyre.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta