Rama: Veza? Shterimi i Partisë Demokratike

25/02/2016 18:30

“Kur një parti politike përdor vezët për t’u shprehur, ka ardhur në pikën e një shterrimi të plotë. I kanë shterruar idetë dhe arsyeja. I kanë shterruar energjitë dhe durimi. I ka shterruar fuqia për të imagjinuar, pa të cilën jeta është një lëngatë e pafundme”.

Kështu nis shkrimi i kryeministrit Edi Rama shpërndarë përmes rrjeteve sociale, ku komenton reagimin e Partisë Demokratike në seancën e plenare të kësaj të enjteje.

“Që një parti të katandiset në pikën që të përdorë vezët, duhet të ketë humbur kuptimin e vetvetes dhe çdo ndjenjë përgjegjësie për çka të tjerët mund të mendojnë për të. Fatkeqësisht kjo është opozita sot në Shqipëri dhe degradimi ka ardhur hap pas hapi, pa ndalim, dy vjet e kusur me radhë”, vijon kryeministri.

Kryeministri i quan ‘sebepe’ pretekstet e opozitës për protestë.

“Motivi është lufta qorre me një hije të qëmotit, e cila vazhdon ta hipnotizojë Partinë Demokratike duke i kushtëzuar axhendën. Shkaku dhe qëllimi është lufta qorrazi me protagonistët e shumicës qeverisëse, si persona që lypset të përbalten, papushim, deri në fund, me çdo mjet”, shkruan Rama.

Rama ka një tjetër shpjegim, ndryshe nga deputetët e maxhorancës, që thanë se  protesta e opozitës me vezë në Kuvend u bë për të penguar reformën në drejtësi.

“Unë nuk bashkohem me miqtë e kolegët, ata besojnë se vezët u përdorën sot në Parlament për të penguar reformën në drejtësi. Unë mendoj se vezët, u kthyen sot në armë opozitare, sepse Partia Demokratike ka ardhur në një pikë shterrimi për shkak se nuk mundi asnjëherë dot, të ringrihej realisht nga fusha e disfatës së 23 qershorit 2013. Aq sa disfatën e 21 qershorit 2015 e përjetoi si fitore të cunguar nga regjimi kriminal!”, shkruan kryeministri.

Në fund, kryeministri komenton edhe reagimin e opozitës në lidhje me deputetin Armand Prenga.

“Edhe vetë histeria e 24 orëve të fundit, për një deputet të përjashtuar me kohë nga radhët e koalicionit qeverisës, i cili për më tepër u vetëpezullua nga aktiviteti i Kuvendit, është inercia e kacafytjes me hijet; në kushtet e shterimit total të fuqisë për të imagjinuar të nesërmen. Çka e bën opozitarizmin e Partisë Demokratike një zvarritje në dëshpërim, ku vezët janë thjesht një kulmim i trishtueshëm i dëshpërimit”, mbyll reagimin e vet kreu i Qeverisë, reagim që e ka shoqëruar me një vizatim sarkastik.

FOTO GALERI
1/1
Fotoja shoqeruese e shkrimit te Edi Rames

Top Channel