Gjermani, votohet sot forcimi i kritereve për azilin. Kthim atyre që s’fitojnë

25/02/2016 10:50

Parlamenti gjerman voton sot paketën e re e shumë më të ashpër të ligjeve të azilit në mesin e kritikave të një pjese të opozitës që e përshkruan legjislacionin si “çnjerëzor”.

Votimi pason muaj të tërë debatesh dhe akuzash se rregullat e propozuara në këtë paketë, përveçse të pamoralshme, janë dhe të paligjshme. Legjislacioni kërkon të përshpejtojë procedurat e azilit pa vendosur një limit maksimal apo mbyllur kufijtë, si vendet e tjera.

Pra, politika zemërgjerë e azilit në thelb nuk ndryshohet, por nga ana tjetër deportimi i emigrantëve, kërkesa e të cilëve për të qëndruar në Gjermani refuzohet nga autoritetet, do të lehtësohet ndjeshëm. Parashikohet ndër të tjera ngritja e qendrave speciale të pritjes në mbarë vendin, ku aplikimet e një pjese të azilkërkuesve mund të procesohen brenda tre javësh.

Më të prekurit do të jenë emigrantët nga të ashtëquajturat “vende të origjinës së sigurtë”, apo ata që kanë refuzuar t’i ndihmojnë zyrtarët gjermanë gjatë shqyrtimit të aplikimeve të tyre. Nga procedurat e përshpejtuara përjashtohen refugjatët minorenë. Por azilantët, të cilët janë refuzuar njëherë dhe sërish e shtrojnë kërkesën për azil, do të vendosen në “qendra pritjeje”.

Ursula Gräfin Praschma, nga Zyra Federale për Emigracionin dhe Azilin, sqaroi se këtu do të përfshihen sidomos personat nga Ballkani Perëndimor. Për disa refugjatë do të pezullohet bashkimi familjar për dy vjet, ndërsa shtyrja e dëbimit me raport të thjeshtë mjekësor, siç ka ndodhur rëndom në të kaluarën, nuk do të jetë më aq e lehtë, pasi me rregullat e reja, individit që paraqet një pretendim të tillë, do t’i duhet ta shoqërojë me një raport mjekësor të kualifikuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA