Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrest me burg për një shtetas italian, i cili ka depozituar në një bankë shqiptare një shumë me burim të pajustifikuar, prej 640 mijë eurosh. Sipas burimeve zyrtare A. Donadon akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale dhe falsifikim dokumentesh.
Ai ka depozituar në bankë disa çeqe për klering nga një bankë e San Marinos. Këto çeqe, pas mbarimit të afatit 45 ditor dhe verifikimit financiar, nëse rezultojnë të rregullta, konvertohen në para që i kreditohet personit që ka depozituar çeqet.
Nga veprimet paraprake proceduriale, Prokuroria e Tiranës dyshon se italiani Donadon po kryen veprimtarinë e pastrimit të parave, pasi vërtetësia e çeqeve nuk është konfirmuar. Për këtë është lëshuar urdhër ndalimi ndaj tij.
Vetë italiani ka deklaruar në bankë se ka marrëdhënie biznesi të firmës së tij në Shqipëri, konkretisht furnizon klinikat dentare me aparatura. Ai është shprehur se dëshironte të zhvendoste një pjesë të aktivitetit të tij në vendin tonë, por nuk kishte ende ndonjë investim mbi projekte biznesi.
Top Channel