Basha: PD e vetmja pengesë e Ramës

25/02/2016 20:10

Lulzim Basha ka reaguar po përmes rrjeteve sociale për komentin e publikuar nga kryeministri Edi Rama, që e interpretoi goditjen me vezë nga demokratët në Parlament, si shterim të opozitës.

Por Lulzim Basha ka një tjetër interpretim, krejt të kundërt.

“Partia Demokratike është sot e vetmja pengesë për Edi Ramën që ta shndërrojë tërë vendin në republikë të trafikantëve, gangsterëve, vrasësve. Ai do të donte që të kishte Armando Prenga në vend të qytetarëve. Ai do donte të kishte Armando Prenga në vend të opozitës. Ai do donte të kishte Armando Prenga në vend të ndërkombëtarëve, por projekti i tij është ndërprerë”, shkruan Basha.

Në këndvështrimin e kreut të PD-së, në këtë betejë nuk janë vetëm demokratët.

“Është në fundin e tij dhe zhgërryhet edhe ca kohë me krimin. Demokratët, qytetarët, socialistët e ndershëm, të majtë e të djathtë do ta heqin këtë çiban. Duke u majmur e ngrehur, thjesht po afron theqafjen e tij”, mbyll reagimin e vet kryetari i Partisë Demokratike.

Komenti i plotë i Lulzim Bashës në Facebook

Edi Rama, në 3 vetë, dy i ka kriminelë, sipas fushës ku kanë gjakuar, trafik drogë, rrëmbim personi, prostitucion dhe vrasje. I treti është hajdut i uritur, por ama aq sa të mos ngopet shpejt, të zgrapë çdo ditë për Ramën së pari, e ç’të mbetet për veten e tij.

Nëse ka një fund të palavdishëm të fantazisë dhe krijimtarisë është të bësh minister Ahmetajn e Beqajn, të cilët kanë damkën e hajdutit që dallohet me kilometra larg. Fund i shëmtuar i kreativitetit, të bësh deputet Armando Prengën. Më keq, ta marrësh në mbrojtje në të gjitha heret kur ky lac me kobure në xhep tregon veten.
Edhe sot këtë bëri. E mori në mbrojtje edhe pse mbarë opinioni janë të tronditur dhe Brukseli në alarm.

Thuhet se realiteti lë pas çdo fantazi. Realiteti që na solli Edi Rama këtë ka bërë, ndaj habitet ambasadori pse Shullazi është i lirë, pse Frroku arratiset me kollajllëk.

Në habi janë kapur i madh e i vogël sesi një kryeministër i kapur në shtrat me krimin, vazhdon ta riprodhojë atë, duke shtuar banditet kudo e duke i mbrojtur ata deri në fund, aq sa sot nuk dallon dot një ndryshim mes një strukture kriminale dhe qeverisë Rama, një enë e bashkuar që merr e jep gjithë ditën.

Partia Demokratike është sot e vetmja pengesë për Edi Ramën që ta shndrrojë tërë vendin në Republikë të trafikantëve, gangsterëve, vrasësve. Ai do të donte që të kishte Armando Prenga në vend të qytetarëve, ai do donte të kishte Armando Prenga në vend të opozitës, ai do donte të kishte Armando Prenga në vend të ndërkombëtarëve, por projekti i tij është ndërprerë.

Është në fundin e tij dhe zhgërryhet edhe ca kohë me krimin. Demokratët, qytetarët, socialistët e ndershëm, të majte e të djathtë do ta heqin këtë çiban. Duke u majmur e ngrefur, thjesht po afron theqafjen e tij.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel