Siri, OKB shpërndan ndihmat e para nga ajri

24/02/2016 00:00

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se ka kryer shpërndarjen e parë në formë ajrore të ndihmave në Siri, për të ndihmuar banorët në një qytet lindor, i rrethuar nga Shteti Islamik.

Zyrtari i posaçëm i OKB-së, Stephen O’Brien deklaroi në Këshillin e Sigurimit se avioni i parë kishte hedhur 21 tonelata ndihma humanitare në një pjesë të qytetit Deir al Zour, pjesërisht të kontrolluar nga qeveria siriane.

“Të dhënat paraprakë sugjerojnë se ndihmat kanë arritur me sukses zonat e planifikuara”, deklaroi O’Brien gjatë raportimit të tij. OKB vlerëson se rreth 200 mijë civilë sirianë po jetojnë nën rrethim në qytetin Deir al Zour.

Në një raport të fundit të organizatës thuhej se, personat e bllokuar po përballeshin me kushte në përkeqësim të vazhdueshëm, me të dhëna për raste të shumta kequshqimi dhe vdekjesh për shkak të urisë.

Javën e kaluar, mbi 100 kamionë me ushqime dhe nevoja të tjera bazë arritën tek 80 mijë persona në 5 zona të tjera të rrethuara të Sirisë. Dy autokolona të tjera u dërguan ndërkohë në dy qytete të rrethuara nga trupat qeveritare ditën e martë.

“Më herët në mëngjes, një avion i Programit Botëror për Ushqimin hodhi 21 tonelata artikuj në Deir al Zour”, raportoi O’Brien në Këshillin e Sigurimit.

Ai shtoi se, ekipe nga organizatat humanitare siriane dhe arabe të vendosura në terren konfirmuan se pakot kishin rënë në zonat e planifikuara.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta