Në samitin e posaçëm për refugjatët të mbajtur në Vjenë, ministrat përfaqësues të Austrisë dhe shteteve ballkanike deklaruan se për momentin një ndalim i fluksit të azilantëve është i pashmangshëm për shkak të kushteve të sigurisë dhe problemeve të tjera.
“Nuk është e mundur vendosja e limitit të refugjatëve”, thuhej ne deklaratën e përbashkët të ministrave malazez, bullgar, shqiptar, kroat, kosovar, maqedonas dhe serbë. Përfaqësuesit e qeverisë austriake akuzuan Berlinin se është ai që po krijon një situatë të ngatërruar për çështjen e refugjatëve pasi sipas tyre, Gjermania duhet të vendosë nëse do ta lejojë Greqinë që t’i shpërndajë emigrantët nëpër Europë, dhe nëse do t’u thotë vendeve të tjera nëse duhet të bëhen rrugë tranziti për ta ose jo.
Ndërkaq në dokumentin e samitit të Vjenës, theksohet se e drejta për azil nuk përfshin zgjedhjen e “një vendi të preferuar”, ndaj raporti kërkon më shumë punë në qendrat e pritjes dhe regjistrimit të refugjatëve. Po ashtu, ministrat i bëjnë thirrje të gjithë shteteve që të refuzojnë hyrjen e personave që janë pa dokumente udhëtimi , ose në rastin më të keq i kanë ato të falsifikuara.
Por, në të njëjtën kohë samiti i Vjenës i kërkoi të gjitha shteteve anëtare të zonës Shengen se duhet të hapin kufijtë e tyre.
Ndërkaq, samiti që mblodhi bashkë liderët e 9 vendeve të rajonit përgjatë të ashtuquajturës “rruga ballkanike” e emigrantëve, nuk kishte pjesë të tij Greqinë që ndihet padrejtësisht e përjashtuar nga këto bisedime.
Athina, ndërkohe nuk e fshehu zemërimin, dhe faktin që u përjashtua nga samiti e cilëson si një “përpjekje për të marrë në mungesë të saj, vendime që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë Greqinë e kufijtë e saj”.
Top Channel