Drejtoria e Policisë së Lezhës ka dalë me një njoftim zyrtar mbi një ngjarje të ndodhur më herët gjatë ditës në mbikalimin në Ishull Lezhë, ku drejtuesi i një mjeti tip “BMW” është sulmuar dhe plagosur nga dy persona.
Në njoftim saktësohet se shtetasi Landi Noka, 45 vjeç dhe banues në Mirditë, ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar në spital nga njësitë e policisë që kanë mbërritur në vendngjarje. Ai rezulton të jetë pronar i një biznesi për lëndë drusore dhe qymyrguri.
Ndërkohë, uniformat blu kanë bërë mbikëqyrjen e vendit ku u krye atentati dhe kanë sekuestruar dy gëzhoja plumbi pistolete të tipit TT.
Gjithashtu, vijon njoftimi zyrtar, nga veprimet hetimore të agjentëve të anti-krimit është bërë i mundur identifikimi i autorëve të ngjarjes, shtetasit Landi dhe Gjergj Kacorri, të cilët janë shpallur persona në kërkim.
Në dokumentin e drejtorisë lokale të policisë bëhet gjithashtu me dije se, fillimisht mes personave të përfshirë në ngjarje ka pasur një konflikt fizik, me dy vëllezërit Kaçorri që kanë goditur me mjete të forta në kokë shtetasin Noka, të cilin më pas dhe kanë qëlluar në ajër me pistoletë.
Shkaku kryesor i episodit dyshohet të jetë biznesi me lëndë drusore dhe qymyrguri i Nokës, por edhe një ngjarje e dy ditëve më parë, ku një i afërm i tij u konfliktua me një nga disa anëtarë të familjes Kaçorri.
Top Channel