Komando francezë janë vendosur në Bengazi, në lindje të Libisë, për të mbështetur operacionet ushtarake në vijim të nisura nga ushtria e udhëhequr nga Khalifa Haftar.
Lajmin e bën të ditur “Huffington Post” në versionin arab, që citon burime ushtarake libiane.
Forcat speciale franceze janë vendosur në bazën ajrore Benina dhe kanë krijuar një komandë koordinimi për operacionet ushtarake me trupat vendase.
Lajmi pohoet edhe nga francezja “Le Monde”, në një artikull me titullin “Lufta sekrete e Francës në Libi”. Sipas gazetës, forcat speciale po kryejnë operacione klandestine për të ndalur ekspansionin e terroristëve të Shtetit Islamik në territorin libian.
I cituar nga “Le Monde”, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes në Paris ka deklaruar se, “ndërhyrja tokësore në Libi duhet të jetë opsioni i fundit”.
“Duhet të shmangim çdo ndërhyrje ushtarake të hapur. Duhet të veprojmë me takt”, ka thënë zyrtari në kushte anonimati.
Për Francën, sipas zyrtarit, objektivi është të godasë pikat e ISIS, me qëllim për të frenuar përhapjen e grupit në Libi.
Bëhet fjalë për lëvizje të kryera në bashkëpunim me Uashingtonin dhe Londrën, sikurse tregon sulmi amerikan i 19 shtatorit kundër një drejtuesi tunizian të Shtetit Islamik në Sabrata.
Top Channel