Ikja e Prengës, PD akuza Ramës: Truk për të bllokuar nismën për dekriminalizimin

24/02/2016 22:55

Pas vetëpërjashtimit të deputetit Armando Prenga nga Kuvendi, ka reaguar menjëherë Partia Demokratike me anë të një deklarate për mediat, ku e cilëson largimin e Prengës nga Kuvendi si një “truk të ulët që ka për synim të justifikojë bllokimin e nismës ligjore të PD për amendimin e ligjit të dekriminalizimit”.

“Me dorën dhe mendjen e Edi Ramës mercenari i tij bandit dhe përgjakës i qytetarëve të Laçit njoftoi sonte në mbrëmje në një letër “vetëpezullimin”. Opozita dhe qytetaret shqiptaret nuk mund të pranojnë kurrë një parlament në mëshirën e premtimeve të Armando Prengës”, thuhet në reagim.

Më tej në deklaratën e Partisë Demokratike thuhet se Prenga u soll në Kuvend nga Rama për dhunë dhe kanosje.

“Zero vlere ka sot përbetimi i këtij plaçkitesi vilash ne Itali që Edi Rama e solli ne Parlament për dhunë dhe kanosje, që e shpërbleu me Lagunën e Patokut dhe që e nxori nga qelia ku përfundoi pasi përgjaku bashkëqytetarët e tij në komisariatin e Laçit për ta ripërdorur sërish”.

Partia Demokratike thotë se Edi Rama duhet të miratojë nesër ndryshimet në ligjin e dekriminalizimit që i hapin rrugë pezullimit ligjor të Armando Prenges nga parlamenti dhe paketën e akteve të tjera që opozita depozitoi në Kuvend.

“Bllokimi i kësaj nisme ligjore vetëm do të konfirmojë lojën kukafshehtas të Edi Ramës me Prengën dhe do të rezultojë në aksionin e paralajmëruar opozitar të bllokimit të funksionimit të Kuvendit”, mbyllet deklarata e PD-së.

Top Channel