Armando Prenga tërhiqet nga Kuvendi. Deputeti: Unë, jo shkak për PD

24/02/2016 22:10

Deputeti Armando Prenga nëpërmjet një lëvizje surprizë shkëputet nga jeta parlamentare. Në një bisedë telefonike për Top Channel ai deklaroi se “ndërpret marrëdhëniet me Parlamentin deri sa të ketë një vendimi të formës së prerë nga Gjykata”.

I pyetur përse e mori këtë vendim Prenga tha: “Duke qenë se opozita ditët e fundit ka nisur një sulm frontal ndaj meje, nuk dua që në asnjë mënyrë unë të bëhem pikë referimi për ta dhe kauzat e tyre”.

Prenga nëpërmjet një letre, të siguruar edhe nga Top Channel, drejtuar kreut të Kuvendit Ilir Meta thotë se “edhe pse plotësisht i bindur për pafajësinë, dëshiroj të mbetem larg jetës parlamentare, për sa kohë Sali Berisha dhe Lulzim Basha që duhet të ishin përpara drejtësisë më kanë kthyer në tabelë qitje siç e kanë zakon se nuk dinë të bëjnë punë tjetër”.

“Unë -thekson ai- nuk dua ti jap kosto të tjera familjes sime dhe të afërmeve të mi. Ata nuk ma kanë borxh baltën e Saliut dhe të Lulit edhe pse janë të bindur në pafajësinë time. Prandaj unë do të vazhdoj deri në fund betejën gjyqësore, ndërkohë që Partia Demokratike le të mbajë të dënuarin Xhelal Mziu si hero të partisë në luftën për demokraci”, shkruan Prenga.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel