
Armand Qafmolla është një biznesmen i vogël i cili zotëron një bar kafe në kryeqytet. Ai thote se nga një janari Bashkia ja ka rritur taksat me dhjetë herë.
“Deri në dhjetor paguanim 202 mijë e 500 lekë në muaj për hapësirën publike. Pas datës 16 shkurt kur e morëm vesh, taksat na kanë shkuar në dy milionë e 25 mijë. Domethënë 10-fish”, thotë biznesmeni Armand Qafmolla.
Armandi ishte një nga qindra biznesmenët e kryeqytetit që këtë të martë protestuan përpara bashkisë.
Protesta u organizua nga shoqëria civile dhe shoqata për mbrojtjen e tregtarëve. Drejtuesit e saj thonë se nuk do të ndalen derisa bashkia të anullojë rritjen e taksave.
“Këto taksa që quhen supergjoba të pushtetit vendor, ligji e lejon ta çojmë në gjykataë administrative, ne do e çojmë dhe do ta fitojmë”, u shpreh Nikollaq Neranxi, kryetar i shoqatës për mbrojtjen e tregut.
“Të gjitha ato letra që ju kanë ardhur, të cilat sanksionojnë se duhet të paguajnë, ju nuk duhet ti paguani në asnjë mënyrë, sepse janë të jashtëligjshme”, u shpreh Besian Pesha, aktivist.
“Nuk do të reshtim së protestuari, do të tregojmë që ne jemi të vendosur për ta çuar deri në fund”, tha Pano Soko, Shoqëria civile.
Në 30 dhjetor këshilli bashkiak i tiranës miratoi paketën e re fiskale, e cila ka rritur disa taksa dhe tarifa. Paralelisht Partia Demokratike njoftoi se këshilltarët e saj në bashki kanë dorëzuar një propozim për anullimin e rritjes së taksave dhe rikthimin e tyre në nivelet e mëparshme.
Top Channel