Siri, qeveria dhe opozita zotohen për armëpushim

23/02/2016 12:00

Qeveria siriane dhe grupi kryesor i opozitës së armatosur thanë se pranojnë kushtet e armëpushimit që pritet të nisë nga e shtuna.

Damasku zyrtar njoftoi se do të ndalojë të gjithë operacionet luftarake në përputhje me planin e përbashkët të njoftuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Ndërkohë, grupet opozitare thanë se pushimi i zjarrit nga ana e tyre varet nga qëndrimi i ushtrisë së Bashar al-Assad. Këto grupe thonë se do të respektojnë pushimin e zjarrit nëse edhe ushtria u jep fund rrethimeve dhe sulmeve ajrore ndaj civilëve.

Jashtë këtij plani armëpushimi mbeten dy grupe kryesore xhihadiste, ISIS-i dhe rivali i tij, Al Nusra. Kjo e fundit është një degë e Al Kaedas dhe ka zgjeruar ndikimin e vet në pjesën më të madhe të aleancës së kryengritësve.

Zbatimi i planit të njoftuar një ditë më parë nga Moska dhe Uashingtoni mbetet një sfidë më vete. Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se do të jetë tejet e vështirë që ujdia të gjejë zbatim, qoftë edhe të pjesshëm në terren.

Të paktën 250 mijë persona kanë gjetur vdekjen nga konflikti 5-vjeçar sirian dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda dhe jashtë vendit të shkatërruar nga luftimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA