Shtyhet gjyqi OSHEE- Ismailaj, mungon avokati mbrojtës

23/02/2016 10:40

Edhe seanca e dytë kundër Ismailajt nën gjykim për mashtrim, falsifikim dhe pastrim parash u shty për shkak të mungesës së avokatit.

Juristi i OSHEE-së deklaroi se Ismailaj, administratori i dy kompanive që kishin për detyrë mbledhjen e borxheve të CEZ ka përdorur të njëjtën skemë mashtrimi edhe në Kongo.

“Nga ky transaksion mund të ketë fituar 20-25 milionë , në emër të United Resource, e cila zotërohej prej tij. Ashtu si te kontrata me CEZ, ka paraqitur partneritete falso me kompani që nuk kanë kapacitete”, thotë Romeo Kara, juristi i OSHEE-së.

Por ndërsa drejtësia është në pritje për të çelur procesin ndaj Ismailajt tek gjykata penale, edhe Krimet e Rënda kanë nën shqyrtim kërkesën e Prokurorisë për vendosje sekuestroje të pasurive të tij në vlerën e 2 milionë eurove.

“Ne do të jemi prezent në zbardhjen e gjithë aktivitetit të këtij personi. Ai është një mashtrues global i cili gjithë jetën e tij vetëm ka vjedhur nëpërmjet mashtrimit. Këtu do bëjmë me dije prova të reja për falsifikimin, pra, do të kemi akuza të reja për të”, tha Kara.

Top Channel