Ligji për dekriminalizimin duhet të nisë nga zbatimi, bashkë me aktet e tij nënligjore, që prej datës 6 mars. Por, kur ligji ende nuk është provuar asnjëherë sesi do të funksionojë, ai do t’i nënshtrohet një kërkese për ndryshim, i cili ka në shënjestër deputetin Armando Prenga.
Demokratët pritet ta dorëzojnë amendamentin përpara ditës së enjte. Top Channel ka mësuar se, ndryshimi në ligj do të synojë pezullimin e ushtrimit të funksionit të deputetit për Armando Prengën, derisa ai të marrë vendim nga Gjykata e Lartë për çështjen penale të “armëmbajtjes pa leje”, “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “kanosjes”.
Paralelisht me këtë lëvizje, demokratët kanë dorëzuar paraditen e së martës edhe aktet nënligjore për zbatimin e procesit të dekriminalizimit. Ato janë dy:
I pari është formulari i vetëdeklarimit, për të cilin demokratët thonë se janë huazuar standardet e FBI-së amerikane dhe që përmban verifikimin e shenjave të gishtërinjve dhe çdo të dhëne biometrike.
Akti i dytë është një kërkesë që çdo subjekt i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të verifikojë një person me funksione publike bazuar mbi formularin e vetëdeklarimit.
Formulari, ku duhet të deklarohet çdo identitet i përdorur brenda dhe jashtë vendit, si dhe arsyeja e ndryshimit të identitetit, përmban 11 pyetje për integritetin e personit me funksione publike. Ai përfshin pyetje rreth ndalimit ose arrestimit brenda dhe jashtë Shqipërisë, detaje për vendin, kohën dhe arsyen e ndalimit.
E njëjta procedurë e detajuar ndiqet edhe nëse plotësuesi i formularit është ndjekur penalisht, ose ka pasur vendim të formës së prerë brenda dhe jashtë vendit. Formulari përmban pyetje edhe nëse për personin me funksione publike ka pasur urdhërndalimi ndërkombëtar, ose masë dëbimi.
Nëse ai që firmos formularin jep të dhëna, që më vonë verifikohen si të pavërteta, të paplota ose të pasakta, jo vetëm i ndërpritet mandati, i ndalohet më vonë e drejta për t’u zgjedhur ose emëruar, por ndiqet penalisht dhe rrezikon të dënohet me gjobë e deri me burgim.
Top Channel