“Prenga”, Basha: Të zbatohet dekriminalizimi

23/02/2016 13:50

Partia Demokratike ka dalë me disa kushte, plotësimi ose jo i të cilave mund të vendosin edhe për qëndrimin e opozitës me Parlamentin. Mes këtyre kushteve, kryesor është dekriminalizimi, për të cilin demokratët kanë dorëzuar tashmë në Kuvend kërkesën për kalimin e tij që këtë të enjte.

Por pse ky rikthim këmbëngulës dhe i ngutshëm i PD-së për dekriminalizimin? Lulzim Basha ka vetëm një shpjegim dhe ai lidhet me rikthimin në Kuvend të deputetit Armando Prenga.

“Përballja në Parlament me këtë regjim do të nisë të enjten me një sërë kushtesh, mosplotësimi i të cilave do të çojë në masat e grupit parlamentar për të pamundësuar funksionimin normal të Parlamentit, por thelbi është dekriminalizimi. Për sa kohë që simbolet e dekriminalizimit, si Armando Prenga, siç është ai sot simbol i kriminalizimit, i deputetit që qëllon dhe gjakos me armë pa leje në derën e komisariatit, e kanë rrugën e hapur në Kuvend , atëherë ky institucion dhe kjo foltore nuk do të funksionojnë normalisht”, tha Basha.

Sipas Bashës për dekriminalizimin nuk ka asnjë pengesë, përveç vullnetit politik dhe për mungesë të tij, kreu i demokratëve akuzoi drejtpërdrejtë Edi Ramën.

“PD ka këmbëngulur për miratimin sa më shpejt të akteve, ndërsa PS nuk ka lëvizur gishtin në këtë drejtim. Çdo vonesë në këtë drejtim ngarkon me përgjegjësi Edi Ramën dhe kupolën e tij. Pa zgjidhur çështjen e një njeriu që gjakos qytetarët e vet dhe më pas ulet në Parlament, nuk ka qetësi”, tha Basha.

Ndërkohë, deklaratën e Partisë Socialiste, ku njofton se Armando Prenga nuk është më pjesë e grupit të vet parlamentar, Lulzim Basha e quajti “truk të Edi Ramës për t’i hedhur hi syve ndërkombëtarëve dhe qytetarëve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA