Peru, rrjedhja e naftës ndot lumenjtë e Amazonës

23/02/2016 09:40

Të paktën 3 mijë fuçi naftë janë derdhur në rajonin e Amazonës, pas rrjedhjeve nga naftësjellësi kryesor i Perusë. Lajmin e ka bërë të ditur kompania shtetërore e naftës.

Nafta ka ndotur dy lumenj tek të cilët mbështeten të paktën dy komunitete indigjene për t’u furnizuar me ujë. Kompania Petroperu ka premtuar se do të kryejë një operacion pastrimi, si dhe do t’u sigurojë ushqime dhe ujë komuniteteve.

Drejtuesit e saj deklaruan gjithashtu se rrjedhja e parë ishte shkaktuar nga një rrëshqitje toke, ndërsa motivet e rrjedhjes së dytë nuk dihen ende.

Nafta është derdhur në lumenjtë Çiriako dhe Morona, në veri-perëndim të Perusë, ka deklaruar agjencia qeveritare për kujdesin e ambjentit OEFA.

Komunitetet e prekura nga ndotja ndodhen në vështirësi, edhe për faktin se, shirat e dendura kanë penguar përpjekjet për të ndalur përhapjen e karburantit.

Ministria peruane e Shëndetësisë ka deklaruar se, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për cilësinë e ujit në 5 rajone dhe ka paralajmëruar se kompania Petroperu mund të përballet me gjoba që arrijnë deri në 17 milionë dollarë nëse nafta dëmton shëndetin e njerëzve.

Ndërsa agjencia OEFA deklaroi se, rrjedhjet nuk janë një rast i izoluar dhe i bëri thirrje kompanisë që të riparojë pjesët e dëmtuara të naftësjellësit dhe të përmirësojë mirëmbajtjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA