“Mendo për 3 fëmijët, do bëhesh shumë i pasur”, SHBA kërkoi të joshte pilotin e Nicolás Maduros për të tradhtuar udhëheqësin venezuelas. Zbulohen mesazhet Presidenti amerikan, Barack Obama ka propozuar këtë të martë mbylljen “një herë e mirë” të qendrës së paraburgimit të Guantanamos, në Kubë, si dhe transferimin e të burgosurve të mbetur në një prej ambienteve të posaçme për ta në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se, pavarësisht pengesave të rëndësishme politike dhe kundërshtisë së Kongresit, ai do ta bëjë edhe një përpjekje të fundit për mbylljen e burgut famëkeq.
“Nuk dua t’ia kaloj këtë problem presidentit të ri të SHBA-ve, kushdo qoftë ai. A do ta lejojmë këtë gjë të zgjasë edhe për 15 vite të tjera?”, deklaroi ai gjatë një konference për shtyp nga Shtëpia e Bardhë. “Mbajtja hapur e kësaj qendre paraburgimi bie ndesh me vlerat tona, si dhe dëmton qëndrimin tonë përpara syve të botës. Ajo është parë si një njollë në historikun tonë të mbështetjes së standardeve më të larta të shtetit të së drejtës”, deklaroi Presidenti i Amerikës.
Propozimi i Obamës ngre menjëherë pyetjet e mprehta se, ku duhet të vendoset qendra e re e paraburgimit dhe, a do ta përfundojë Obama mbylljen e saj përpara se të largohet nga zyra presidenciale?
Plani i kërkuar nga Kongresi shpreh të gjitha argumentet, edhe financiare, në favor të mbylljes së qendrës aq shumë të kritikuar të paraburgimit. Guantanamo u kushton plot 445 milionë dollarë çdo vit taksapaguesve amerikanë. Propozimi është pjesë e përpjekjes së fundit të Obamës për të bërë më të mirën në atë që konsiderohet si angazhimi i papërmbushur i fushatës së tij presidenciale prej 2008-s, si dhe detyron ligjbërësit të lejojnë Departamentin e Mbrojtjes të transferojnë rreth 60 të burgosur në SHBA.
Megjithatë, për shkak të disa specifikave të tij, ky propozim vetëm sa do të armiqësonte edhe më tej ligjvënësit, të cilët kanë miratuar vazhdimisht legjislacionet që pengojnë çdo lloj përpjekjeje për t’i transferuar të burgosurit në SHBA.
Zyrtarët amerikanë thonë se plani ka marrë në konsideratë 13 vendndodhje të ndryshme në tokën amerikane, por pa i specifikuar ato, përfshi këtu 7 mjedise ekzistuese burgjesh në Kolorado, Karolinën e Jugut dhe Kansas, si dhe 6 vendndodhje të tjera në bazat aktuale ushtarake. Plani nuk rekomandon ndonjë prej këtyre vendeve si të preferuar, ndërkohë që kostot e përllogaritura përfaqësojnë thjesht pikën e nisjes për t’u diskutuar në Kongres.
Top Channel