Balla vijon takimet me Diasporën, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së flet nga Italia: Gjithmonë krenari të takohem me shqiptarë të suksesshëm Nga Suedia ku është takuar me homologun e tij Urban Ahlin, kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka bërë thirrje për afrimin e sa më shumë investitorëve suedezë në Shqipëri.
“Ne e dimë që për investitorët suedezë është shumë e rëndësishme siguria juridike dhe rendi ligjor, prandaj dhe e kam njohur, e kam siguruar Kryetarin e Parlamentit, z. Ahlin, për vendosmërinë tonë për të përmbyllur me sukses reformën madhore në sistemin e drejtësisë, që do të krijojë një ambient shumë më të besueshëm për investitorët e huaj në vendin tonë”, tha Ilir Meta.
“Sigurisht, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të nxitur investimet në Shqipëri, por natyrisht edhe investimet shqiptare në Suedi. Bashkë me z. Meta biseduam gjatë për këtë çështje dhe me aq sa di, Shqipëria ka resurse të mëdha, të pashfrytëzuara ende, Shqipëria është një vend i mrekullueshëm për turizmin. Kur unë udhëtoja së bashku me z. Meta nëpër Shqipëri në fillim të viteve ‘90 dhe pashë këtë vend të mrekullueshëm, është e lehtë të kuptosh arsyen pse më shumë turistë të huaj duhet të vizitojnë Shqipërinë”, u shpreh Urban Ahlin.
Kryetari i Kuvendit të Suedisë ka shprehur jo thjesht mbështetjen për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por edhe shtytje me të madhe në procesin e zhvillimit ekonomik dhe social të të gjithë rajonit.
Më herët gjatë ditës, Meta u prit në një takim nga ministrja për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Isabella Lovin. Gjatë takimit, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen, sipas tij, të pakursyer të Suedisë ndaj zhvillimit social dhe ekonomik të Shqipërisë, duke veçuar këtu realizimin e reformës administrativo-territoriale.
Kryetari i Kuvendit theksoi se, gjatë javëve të ardhshme fokusi i punës së përbashkët me partnerët evropiane do përqendrohet në avancimin e reformës në drejtësi.
“Është reforma më e rëndësishme, thelbësore dhe e panegociueshme për të përmbushur prioritetet e BE-së për Shqipërinë, që janë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve, si dhe për sundimin e ligjit”, deklaroi Meta.
Nga ana e saj, ministrja Lovin vlerësoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj axhendës së integrimit evropian dhe vuri në dukje se pavarësisht momenteve të vështira që po kalon Unioni, Suedia do vazhdojë të mbështesë zgjerimin.
Top Channel