Përpara një elektorati të stërvitur tashmë me lojrat e manovrat politike, ndershmëria mbetet rruga më e mirë për të fituar zemrën dhe votën.
Mbase Ted Cruz ishte me këtë mendje kur i kërkoi dorëheqjen zëdhënësit të fushatës së tij, Rick Tyler, pas promovimit që ky i fundit i bëri në rrjetin social Twitter një videoje të falsifikuar të rivalit Marco Rubio.
Sipas mesazhit të Tyler, videoja e shoqëruar me titra tregonte Rubion duke iu referuar Biblës si “një libër i mirë, por që nuk ka shumë përgjigje brenda fletëve të tij”.
Stafi i Rubios sqaroi se senatori i Floridës në të vërtetë kishte thënë: “aty në atë libër janë të gjitha përgjigjet”. Fushata e Cruz është akuzuar vazhdimisht për “gënjeshtra” dhe “hile të pista” nga kandidatët e tjerë.
“Ai mesazh nuk duhet të ishte dërguar prej nesh. Ne nuk bëjmë fushatë që vë në pikëpyetje besimin e një kandidati tjetër për president, tha Cruz para reporterëve.
Tyler i kërkoi ndjesë kampit të Rubios përmes një postimi në Facebook. Ai pretendon se nuk e dinte që po hidhte në Twitter një histori të rremë.
“Por fakti është që e bëra këtë veprim. Gabimi është i imi sepse duhet ta kisha verifikuar më parë dhe për këtë kërkoj ndjesë”, tha drejtori i komunikimit të fushatës së Cruz.
Top Channel