Wikileaks ka publikuar dokumente të reja që tregojnë sipas saj se NSA-ja ka përgjuar komunikimet mes sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.
Kabllogramët nxjerrin në pah edhe gjurmimin e bisedave mes liderëve të BE-së, ato të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe Japonisë.
Komunikimet e interceptuara kanë tematikë të gjerë, duke nisur nga ndryshimet klimaterike e deri tek çështjet tepër delikate tregtare.
Një prej tyre ka të bëjë me takimet e 2008-s mes Ban Ki Moon dhe Merkel, ku diskutoheshin bisedimet e klimës apo këndvështrimet mbi presidentin amerikan Barack Obama.
Kjo nuk përbën të parën herë që nënvizohet niveli i zgjeruar i përgjimit të bërë OKB-së dhe udhëheqësve botërorë nga Amerika.
Por, për themeluesin e Wikileaks, Julian Assange, moria e dokumenteve të publikuara rishtaz zbulon faktin që Shtetet e Bashkuara i përgjuan bisedimet e OKB-së për klimën me qëllim që të mbronin interesat e tyre të naftës.
“Ne treguam sot se takimet private të sekretarit të përgjithshem të OKB-së, Ban Ki Moon, mbi mënyrat sesi mund të shpëtohet planeti nga ndryshimet e klimës, u përgjuan që të gjitha nga një vend, objektivi i të cilit është mbrojtja e kompanive të tij më të mëdha të naftës”, tha Assange.
Qeveria amerikane ka nënshkruar një marrëveshje me OKB-në, e cila e detyron të mos angazhohet në veprime të tilla, le më pastaj të përgjojë sekretarin e përgjithshem, thotë Assange.
Do të jetë interesante të shohim reagimin e Pallatit të Qelqtë, vazhdon ai, sepse nëse shefi i OKB-së shënjestrohet kaq lehtë dhe pa asnjë lloj pasoje, ndaj këtij rreziku janë të ekspozuar që të gjithë, nga liderët botërore e deri tek ata që fshijnë rrugët.
Top Channel