Ankaraja këmbëngul për një operacion ushtarak tokësor në Siri. “Nuk mjaftojnë sulmet ajrore kundër ISIS-it në atë vend, duhen çizme ushtarësh në terren”, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në një konferencë për shtyp me homologun italian, Paolo Gentiloni.
“Turqia dhe Arabia Saudite nuk do të veprojnë të vetme, – shtoi ai. – Për këtë çështje lipset të merret një vendim i përbashkët”.
Vendimi që kërkon pala turke, sipas Gentilonit të ndodhur atje në një vizitë zyrtare, nuk mund të vijë në këtë moment. Argumenti i kryediplomatit italian është se, koalicioni dhe grupi i mbështetjes për Sirinë janë të përqëndruar te mundësia e një zgjidhjeje diplomatike të krizës.
Në Ankara mendohet prej disa kohësh, me zë të lartë, për angazhimin e trupave tokësore, me pjesëmarrjen e sauditëve, avionë luftarakë të të cilëve janë zhvendosur së fundi në bazën ajrore turke të Inçirlikut.
Por një ofensivë të trupave tokësore, ekspertët e konsiderojnë si të pagjasë, për shkak të rreziqeve që bart në vetvete. Pavarësisht asaj çfarë thonë politikanët, realiteti ushtarak – sipas tyre, – flet kundër fillimit të një invazioni masiv nga Turqia dhe Arabia Saudite.
Situata e kurdëve, që po fitojnë terren në Siri, e shqetëson Ankaranë, e cila nuk dëshiron të vështrojë duarlidhur humbjen e çdo ndikimi në shtetin fqinj, e kjo është edhe një nga arsyet, përse turqit po përpiqen fort për ngritjen e zonave të ndalimfluturimit, të cilat ndërkohë kundërshtohen nga Rusia.
Top Channel