Instituti i kërkimeve për paqen, “SIPRI” ka ofruar të dhëna të reja mbi tregtinë ndërkombëtare të armëve, ku eksportuesi më i madh, Amerika rezulton të jetë shumë vende përpara Rusisë, ndërsa blerësit kryesorë janë në Azi dhe Lindjen e Mesme.
Përpara më shumë se një jave, në konferencën e Mynihut, kryeministri rus Dmitry Medvedev përcolli bindjen e tij se, bota po përjeton një luftë të re të ftohtë.
Në pjesë të ndryshme të globit, ndërkohë, ka konflikte të vërteta, siç është ai në Ukrainë, apo ato në Lindjen e Mesme.
Në Azinë Lindore, sjellja agresive e Kinës ka zhytur në alarm fqinjët; në Azinë Jugore, marrëdhëniet mes rivalëve të vjetër, Indisë dhe Pakistanit, mbeten si gjithmonë tmerrësisht të tensionuara.
Në të njëjtën kohë ka një pasiguri ndërkombëtare në rritje, për shkak të kërcënimit terrorist. E nga sa tregojnë qartë të dhënat e institutit me seli në Stokholm, gjendja tepër e tensionuar e sigurisë globale pasqyrohet fare mirë te lulëzimi i tregtisë së armëve.
Rezultati i kërkimeve të ekspertëve të “SIPRIT”-t, që për arsye objektive i grupojnë transfertat botërore të armëve në periudha 5-vjeçare, tregojnë se gjatë këtyre 5 viteve të fundit, në mbarë botën janë eksportuar 14% më shumë armë se në 5 vitet paraardhëse.
Shifrat flasin qartë, sipas “SIPRI”-t. Sa më shumë kriza të ketë, aq më shumë armë do të jenë në qarkullim. Shumica dërrmuese e armëve të shitura në këtë periudhë kanë shkuar në Azi dhe në Lindjen e Mesme.
Sipas institutit të Stokholmit, në zonën mes Gjirit Persik dhe Bosforit, importet e armatimeve të rënda rezulton të jenë rritur me 61%. India është e para në listën e importuesve, Arabia Saudite e dyta, ndeësa Turqia vjen e 6-a, ndërsa më pak armë shiten në Afrikë, kjo për shkak të varfërisë.
Top Channel