Dita e sotme sjell një tjetër përpjekje për vendosjen e të paktën një armëpushimi të përkohshëm në Siri.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia po përpiqen të bindin palët kundërshtare se, duhet të ulin armët e të pranojnë propozimin e pushimzjarrit.
Të dielën, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry njoftoi arritjen e një marrëveshjeje provizore me Moskën, e cila mund ta “ngrijë” konfliktin brenda disa ditësh. Ai komunikoi përmes telefonit me homolohun rus, Sergei Lavrov, me të cilin – sipas raporteve në media, – ka rënë dakord mbi kushtet e pushimzjarrit.
Detaje të planit ende nuk ka. Por, edhe pse bisedimet u fokusuan sërish te ndalimi i luftimeve, dhuna përgjatë ditës së dielë njohu një përshkallëzim të ndjeshëm në Siri, përmes një vale sulmesh me bomba të marra përsipër nga Shteti Islamik.
Shpërthimet në Damask vranë 83 persona; 59 të tjerë humbën jetën nga dy autobomba në qytetin gjysmë të rrënuar të Homsit.
I dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura i dënoi me forcë episodet e dhunës. Më herët gjatë muajit, ai i pezulloi bisedimet e paqes, me shpresën se do të rifillonin këtë javë, por të premten deklaroi se, një afat i tillë nuk dukej më aq realist.
Top Channel