Hamendjet nëse Boris Johnson, kryetari karizmatik i Bashkisë së Londrës, do të bashkohej ose do të ishte kundër kryeministrit në referendumin e 23 qershorit, ai i shuajti me një sms drejtuar Cameronit 7 minuta përpara se të dilte përpara “ushtrisë” së gazetarëve dhe kameramanëve që prisnin jashtë shtëpisë së tij.
Duke zemëruar tej mase kryeministrin, kryetari i Bashkisë së Londrës tha se vendosja e tij në kampin pro daljes nga BE-ja nisej nga shqetësimi i tij për erozionin e sovranitetit britanik.
Por analistët mendojnë se kjo lëvizje e Boris Johnson është taktike dhe lidhet me planin afatgjatë të tij për të zëvendësuar David Cameron në postin e kryetarit të Partisë Konservatore dhe për pasojë atë të kryeministrit të vendit.
Nëse do të fitonte fushata për daljen e Britanisë nga BE-ja, kjo do ta vendoste kryeministrin në pozicionin e vështirë të dorëheqjes dhe katapultimit të Boris Johnsonit, sipas spekullimeve politike në vendin e Cameronit, edhe pse kryetari i Bashkisë së Londrës e mohon një gjë të tillë dhe insiston se edhe në atë rast David Cameron do të duhej të vazhdonte të ishte kryeministër i vendit.
Një opsion i diskutueshëm në qarqet politike britanike është edhe ai hipotetiku i një referendumi të dytë nëse fiton fushata për daljen e Britanisë nga BE-ja, ku eventualisht Brukseli do të mund të ofronte një marrëveshje të re me Britaninë, çka hidhet fuqishëm poshtë nga zyra e kryeminstrit Cameron.
Zhvillimet e fundit në politikën britanike tregojnë se bërrylat dhe stërkëmbëshat në politikë do të vazhdojnë të mbesin një fenomen normal në karrierat politike, ndërkohë që kundërshtarët tolerohen të mendojnë dhe veprojnë kundër qoftë edhe kryeministrit apo kryetarit të partisë në pushtet, siç është rasti i 6 ministrave dhe 15 zëvendësministrave të kabinietit qeveritar britanik.
Britania, ashtu siç mund të fitojë në referendum me vazhdimin e qëndrimit në BE, edhe mund të humbasë nga dalja prej saj, por funksionimi i demokracisë në standartet më të larta të tolerancës dhe sofistikimit politik do të mbesë i pacënueshëm.
Top Channel