Veliaj: Protestë dhe shije komuniste. Nuk tërhiqemi, fëmijët kanë nevojë për parkun

21/02/2016 23:05

Bashkia nuk do të tërhiqet nga projekti i parkut të fëmijëve pranë Liqenit artificial. Nga Londra, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur për Top Channel duke krahasuar protestën e mbështetur nga PD të dielën me shijet e Partisë së Punës në kohën e komunizmit.

TCH: Çfarë do të ishte në rrezik nëse ju do të tërhiqeshit nga ndërtimi i këndit të lojërave, supozojmë?

Erion Veliaj: Nëse do të tërhiqesha do ishte në rrezik i gjithë transformimi i Tiranës, sepse do tregonte që jemi kthyer në kohën e komunizmit ku shijet arkitekturore u vendosën nga partia dhe jo ekspertët. Ne kemi patur disa ekspertë, nga një kompani gjermane, e cila është nga më të mirat për arkitekturën. Arkitektët kanë menduar se ai është vendi ideal, duke qenë se ka hije dhe se është në hyrje të parkut, dhe se prindërit janë afër për të ndjekur aktivitetin e fëmijëve. Do të jetë një park shumë i ngjashëm me parqet që kemi parë edhe këtu në Londër. Kështu që histeria e tyre që në katër vitet e fundit apo gjatë viteve ‘90 po në Tiranë, lejuan që i gjithë Kampusi i liqenit, të rrethohej nga ndërtesa banale, me funksion të vetëm, kafet dhe betonin. Unë besoj se nuk kanë argument. Nëse do ishin kaq të shqetësuar, ja ku i kanë të legalizuara dhe hipotekuara mbi 30 kafene në buzë të liqenit dhe pallate pa fund edhe te Liqeni i Tiranës edhe te Liqeni i Thatë, ngjitur. Ndaj kush ka nevojë të protestojë e ka ‘targetin’ e betonit. Por, të kërkosh që fëmijëve të Tiranës t’ju mohohet një hapësirë, unë besoj se është fyerje për inteligjencën, ose nuk kanë fëmijë ose nuk kanë mend.

TCH: Një tjetër protestë është zhvilluar në Tiranë për çështjen e mbifaturimeve të Ujësjellësit, në të cilën ka marrë pjesë edhe zoti Tahiri. A ka mundësi të na shpjegosh se si qëndron e vërteta?
 
Erion Veliaj: Kam ngritur një grup auditi prej 10 ditësh, i cili të hënën do më dorëzojë një raport që konfirmon dhe detajon se ku janë bërë këto mbifaturime. Ajo që dua t’i garantoj qytetarët është se asnjë qindarkë nuk do paguhet mbi atë që është shpenzuar. Jo vetëm kaq, por edhe personat që kanë dhënë urdhra të tilla në dëm të qytetarëve do të mbajnë përgjegjësi. Ashtu siç e kërkon ligji vendimet do t’i marrim në Bordin e aksionarëve që do të mbledhim javën e ardhshme. Unë ju garantoj që jo vetëm qytetarët nuk do të dëmtohen, por do të penalizohen ata që kanë shkaktuar këtë dëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA