E rëndë në Itali, 41-vjeçari brazilian vret me thikë ish të dashurën, kishte urdhër ndalimi nga gjykata pasi e kishte dhunuar vazhdimisht
Policia në Hungari thotë se, një numër gjithnjë e më i madh emigrantësh po ia dalin të kapërcejnë rrethimin me tela me gjemba, të ngritur për t’i penguar ata që të kalojnë kufirin nga Serbia.
Në janar, 550 persona u kapën duke kaluar rrethimin, ndërkohë që në dhjetor kjo shifër ishte 270.
Më shumë se 1.200 të tjerë janë kapur vetëm në 20 ditët e para të shkurtit. Hungaria ndezi polemika, kur rrethimi 4 metra i lartë përfundoi në shtator.
Sidoqoftë, disa vende të tjera kanë ndërmarrë, që nga ajo kohë, kontrolle të ashpra të kufirit për të ndalur fluksin e emigrantëve.
Numri i njerëzve që hynin nga Serbia për në Hungari ra, pasi vendi ndërtoi rrethimin 175 km të gjatë në kufirin me fqinjin e tij vitin e kaluar. Por, tani policia thotë se, emigrantët po kalojnë gjithnjë e më të shumtë në numër, duke e prerë rrethimin, apo duke u ngjitur përmbi të.
Pjesa më e madhe e emigrantëve janë nga Pakistani, Irani dhe Maroku, që nuk pranohen më në trajektoret e tjera. Kjo, pas lëvizjeve të ndërmarra nga Austria, Sllovenia dhe vendet e Ballkanit, për të kufizuar shtetësitë dhe numrat e atyre që lejohen të kalojnë.
Më shumë se një milion njerëz hynë në BE në 2015-n, duke shkaktuar krizën më të rëndë të refugjatëve në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Shumica e emigrantëve dhe refugjatëve kanë pasur si destinacion vende si Gjermania e Suedia dhe, të nisur nga Turqia, kalonin në Greqi e më pas në Hungari e Austri.
Top Channel