“Mendo për 3 fëmijët, do bëhesh shumë i pasur”, SHBA kërkoi të joshte pilotin e Nicolás Maduros për të tradhtuar udhëheqësin venezuelas. Zbulohen mesazhet Donald Trump triumfoi në parapraket e Karolinës së Jugut, duke çimentuar statusin e udhëheqësit në garën republikane për nominimin presidencial.
Fitorja e tij nxori jashtë loje një rival të rëndësishëm, Jeb Bush, i cili pas këtij rezultati vendosi të heqë dorë nga përpjekja për Shtëpinë e Bardhë. Ai përfundoi i katërti dhe kjo vetëm disa ditë pasi i vëllai, ish-Presidenti George W. Bush u shfaq si rrallëherë në një event politik, duke qëndruar në krah të guvernatorit të Floridës, me shpresën t’i jepte një shtysë të fortë fushatës së tij.
Në kampin demokrat, Hillary Clinton mundi senatorin e Vermontit, Bernie Sanders, në një betejë tepër të ashpër, siç ishte ajo e Nevadës.
Të dyja këto rezultate janë të një rëndësie kyçe, përpara raundit të “super të martës” më 1 mars, kur një duzinë shtetesh marrin vendimin e tyre mbi kandidatin presidencial.
Në Karolinën e Jugut, senatorët republikanë Ted Cruz dhe Marco Rubio u përfshinë në një luftë të hidhur për vendin e dytë. Pas këtyre votimeve, Hillary Clinton po merr frymë e lehtësuar, ndërsa simpatizantët republikanë pyesin veten se, ku po shkon partia e tyre.
Perspektiva e një Trumpi kandidat zyrtar për Shtëpinë e Bardhë ka shkaktuar jo pak shqetësim mes asaj pjese, që mendon se për “stomakun” e Partisë Republikane, kjo do të ishte e tepërt.
Shpresat tani janë që Ted Cruzi ta mposhtë miliarderin në Jug dhe Marco Rubio të konsolidojë mbështetjen për establishmentin e t’ia dalë mbanë më vonë gjatë marsit, në shtetet ku fituesi i merr të gjitha.
Top Channel