Bashkia e Tiranës: Aspiratat e qytetit nuk mund të pengohen nga vandalët

21/02/2016 18:30

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama në lidhje me protestën e zhvilluar tek Parku i Liqenit, pasdite ka reaguar dhe Bashkia e Tiranës që përmes një deklarate per mediat, shkruan se një minorancë e zhurmshme po i kundërvihet aspiratave të shumicës së qytetarëve që e duan zhvillimin e qytetit.

Në deklaratë thuhet se të njëjtit njerëz që shkatërruan Tiranën për 4 vite, sot duan me çdo kusht që parku i lodrave për fëmijët të mos mbarojë.

Sipas bashkisë, në kohën kur Tirana drejtohej nga Basha “lokalet mbinë si kërpudha në të gjithë hapësirën e parkut”, ndërsa tani “veshin petkun e dashnorëve të pemëve”.

“Janë të njëjtit njerëz që për 4 vjet e lanë qytetin të dergjet në plehra, rrugë e trotuarë të degradojnë, ndriçimin e qytetit dhe të vetë parkut të shuhet, që lanë lokalet të mbijnë si kërpudha në të gjithë hapësirën e parkut, ata që deri dje e hëngrën parkun e Tiranës nga të gjitha anët, që nuk mbollën asnjë pemë e që s’lanë pemë pa hedhur përtokë, që hapën gropa për pallatë shumëkatëshe, të cilat ende i qajnë që ju mbetën veç gropë, sot veshin petkun e dashnorëve të pemëve dhe që sot, duke servirur informacione të pavërteta, duke trumpetuar tmerre të paqena, duan me çdo kusht që Parku i Lodrave për Fëmijët të mos mbarojë”, thuhet në reagimin e bashkisë.

Top Channel