Përballja për konkurrentët republikanë dhe demokratë që synojnë të kandidojnë për president të Shteteve të Bashkuara ka hyrë në raundin e tretë.
Sondazhet i kanë dhënë jetë tashmë përplasjes mes republikanëve në Karolinën e Jugut, ku kryesuesi Donald Trump do të përpiqet të lërë pas Ted Cruz.
Nga ana tjetër, Hillary Clinton dhe Bernie Sanders mund të përballen “dhëmb më dhëmbë”, me një diferencë fare të vogël, në Nevada.
Votimet mund të jenë të rëndësishme në prag të “Super së Martës”, siç njihet ndryshe raundi i 1 marsit. Atë ditë, një dyzinë shtetesh do të zgjedhin kandidatët e tyre për zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit, me rreth një të katërtën të të gjithë delegatëve të nominuar.
Përpara asaj dite, më 27 shkurt, dy partitë do të fokusohen në dy shtetet, republikanët në Nevada dhe demokratët në Karolinën e Jugut.
Raundet në fjalë mund të jenë jetike sidomos për kandidatët republikanë, me Cruz që fitoi raundin e parë në Ajoua dhe Trump një javë më pas në Nju Hempshër.
Ndërkohë, Trump e vazhdoi fushatën e tij këtë javë me një përplasje me Papa Françeskun mbi vlerat e krishtërimit.
Top Channel