Mbifaturimi i ujit, Veliaj: Qytetarët s’do të paguajnë asnjë qindarkë

20/02/2016 20:10

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pasditen e së shtunës lidhur me çështjen e ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve dhe problemeve me faturimin e muajit janar.

“Kam ndjekur me shqetësim reagimet e shumta të qytetarëve për mbifaturimet e ujit të pijshëm në muajin janar dhe kam ngritur prej disa ditësh një grup verifikimesh për të katër zonat ku janë hasur problemet. Dua t’i siguroj të gjithë se asnjë rast i verifikuar mbifaturimi nuk do të mbetet pa u anuluar dhe asnjë familje e Tiranës nuk do të paguajë padrejtësisht asnjë qindarkë”, ka deklaruar Veliaj.

Kreu i bashkisë ka bërë me dije se, “ditën e hënë do të kemi një pamje të plotë e të qartë të situatës dhe padyshim do të nxjerrim edhe përgjegjësitë e duhura për shqetësimin që u është shkaktuar qytetarëve”.

“Për këtë kam njoftuar që mbrëmë aksionerët e UKT, për mbledhjen e asamblesë në fillim të javës që vjen, ashtu siç e kërkon procedura ligjore”, ka thënë Veliaj.

Ai ka shtuar më tej se, kur ka marrë detyrën ujësjellësin e ka gjetur në kushtet e një rrjeti të amortizuar nëntokë, por më keq akoma, “të një rrjeti hajdutërie të pashembullt mbi tokë të pasurisë sonë të përbashkët”.

“Ndaj dhe vendosja e rendit ligjor në shfrytëzimin e ujit të pijshëm është një domosdoshmëri jetike. Por, emergjenca e imponuar nga e shkuara nuk mund të jetë kurrësesi justifikim për të mbifaturuar familjet tona. Kjo është e papranueshme dhe unë nuk do ta toleroj në asnjë mënyrë. Çdo mbifaturim do të anullohet dhe çdo fajtor do të mbajë përgjegjësi. Ndjesë kujtdo që i është shkaktuar ky shqetësim”, ka shtuar Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA