Policia gjermane ka mbrojtur reagimin e saj ndaj sulmit që po i bëhej nga një grup protestuesish të irrituar një autobusi me emigrantë.
Një video e postuar online tregon rreth 100 protestues armiqësore të rrethojnë autobusin teksa ai shpërndan emigrantët në qendrat e akomodimit në lindje të Gjermanisë.
Ndërsa një video tjetër tregon agjentë të policisë që shkëpusin me forcë një djalë të ri që ishte kapur pas automjetit. Policia ka deklaruar se, agjentët duhet t’i çonin emigrantët në hotele sa më shpejt, pasi situata ishte shumë e tensionuar.
Ngjarja ndodhi të enjten mbrëma në fshatin lindor Klausnitc, në jug të Dresdenit dhe pamjet filmike janë shpërndarë gjerësisht online. Në video mund të shihen edhe fëmijë të emigrantëve të dëshpëruar dhe të trembur.
Demonstruesit u përpoqën që të pengonin emigrantët të zbrisnin nga autobusi, duke bërtitur “ne jemi populli”, një veprim ky që u cilësua si “thellësisht i turpshëm” nga ministri i Brendshëm, Markus Ulbig.
Duke mbrojtur reagimin e forcave të rendit, shefi i policisë rajonale Uwe Reissman deklaroi të shtunën se, në vendin e ngjarjes ndodheshin fare pak policë dhe se ndërhyrja ishte e nevojshme për t’i çuar emigrantët në destinacion.
Megjithatë, ai nënvizoi se, tre persona që ndodheshin në autobus provokuan turmën, me njërin prej tyre që i tregoi gishtin protestuesve.
Top Channel