Ura e Mnikut është rrezik për fshatin, 1 mijë banorë të izoluar

19/02/2016 00:00

Mniku ka rreth 1 mijë banorë dhe ngrihet disa qindra metra nga rruga që lidh kryeqytetin me Ndroqin. Janë vetëm 15 kilometra që e ndajnë nga Tirana e megjthatë gjendja është më shumë se e vështirë.

“Këtu mund të kenë rrezikuar mbi 20 veta, kanë rënë dhe nga ura po fatmirësisht vdekje nuk ka patur sepse kjo urë është me dërrasë, kalben ato dhe padashje bihen”, thotë Sulejman Bardhi, kryeplaku i fshatit.

Jo vetëm banorët në këmbë por edhe mjaft automjete që kanë tentuar të kalojnë lumin Erzen gjatë periudhës së verës kur ka më pak ujë, kanë rrezikuar shumë.

“Edhe ne presim nga qeveria që ta na bëhet një urë se nesër do bëhet ndonjë skandal edhe është shumë vonë pastaj”, thotë një banor i zonës, Besim Bardhi.

“Që të rrish kaq afër Tiranës dhe këta banorë të rrijnë të izoluar është diçka që nuk arrij ta kuptoj me një fjalë. Përgjigje s’ka fare për këtë”, thotë Artur Pojana, një tjetër banor.

Pikërisht për të marrë një përgjigje, ne u drejtuam në bashkinë e kryeqytetit, pjesë e të cilit është edhe fshati Mnik. I pyetur për këtë çështje kreu Veliaj theksoi se bashkia ka planifikuar një paketë të ndërhyrjeve në infrastrukturë ku bën pjesë veç urës që lidh Zallbastarin e Zalldajtin me rrugën kryesore, dhe atë të Krrabës me Elbasanin, edhe ura e Mnikut.

“Është parashikuar që të ketë 4 metra gjerësi, me shtresë asfalti dhe sigurisht edhe me dy bordura për këmbësorët dhe makinat. Pra, ne kemi përzgjedhur që ura e Mnikut të jetë një nga projektet që ne do të fillojmë ta prokurojmë që këtë vit . Ura ka një kosto, ka një kosto rreth 1 milionë dollarë dhe duhet të jemi shumë të sinqertë që buxheti i bashkisë së Tiranës nuk përballon dot të gjitha këto nevoja”, tha z. Veliaj.

Sipas kreut të bashkisë, Veliaj përmes kredive shumë të buta por edhe fondit të zhvillimit të rajoneve do të realizohen këto investime emergjente mes të cilave edhe ura e Mnikut.

Top Channel