Shkeljet e drejtorit të Tatimeve, në 16 raste ktheu mallrat e sekuestruar

19/02/2016 19:55

Hetimi proaktiv për drejtorin rajonal të Tatimeve të Tiranës, Androkli Kokthi ka nisur nga vetë policia. Ai filloi pasi agjentët e antikrimit ekonomiko-financiar në Policinë e Tiranës morën informacione nga vetë inspektorët se, në disa raste drejtori i tyre u kthente mallin e bllokuar bizneseve që ata procedonin për shkak se fshihnin detyrimet tatimore.

Për Kokthin nuk pati denoncues, por dyshimet për veprimet joligjore të tij mbërritën nga informatorët në zyrat e Policisë së Shtetit. Pas kësaj, policia mori edhe lejen e prokurorisë për të kryer përgjime ndaj tij. Mënyra joligjore e kthimit të mallrave të sekuestruara biznesmenëve është verifikuar në afërsisht 16 raste.

Policia ngre dyshime për të gjitha këto raste, por nuk ka gjetur prova të aferës korruptive, përveç asaj të shpërdorimit të detyrës. Kreu i Tatimeve e detyronte Drejtorinë e Rezervave të Shtetit, e cila në këtë rast kryen funksionin vetëm të magazinimit të mallit të sekuestruar, t’ia u kthente biznesmenëve.

Këta të fundit në fakt duhet ta riblinin këtë mall, por me anë të shkresave të drejtorit Kokthi rezultonte se ishin kryer procedura jo të ligjshme gjatë bllokimit të këtij malli.

Ajo që u hetua dhe për të cilat është vërtetuar shkelje e rëndë ligjore është ajo e kthimit të pjesëve të këmbimit për automjete, me vlerë 4 milionë lekë të reja. Drejtori Kokthi u arrestua në zyrën e tij nga tre inspektorë të policisë së Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA