PD: Spitalet në mjerim. Shëndetësia falas, iluzion

19/02/2016 00:00

Deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda dhe përfaqësues të Departamentit të Shëndetësisë në këtë subjekt politik, vizituan këtë të premte spitalin e Kurbinit.

Sipas një njoftimi për shtyp të PD, Deda dhe kolegët e saj konstatuan se, në këtë spital, që mbulon rreth 90 mijë banorë, mungojnë medikamentet kryesore, që nga antibiotikët, fiziologjikët e shumë të tjerë, që pacientët detyrohen t’i blejnë nëpër farmaci.

Deputetja Deda tha se, edhe në këtë spital u përball me një gjendje të mjerueshme sikurse në të gjithë Veriun.

“Në dhomat e mjekut, dhomat e pacientëve dhe në kushtet e shërbimit spitalor mbizotëron abuzimi dhe skandali. Kushtet e higjienës janë inekzistente. Ndërkohë që ministri Beqaj kryen koncesione qindra milionë euroshe për sterilizim dhe ndërrime të çarçafeve, këtu, fëmijë e të rritur rrezikojnë të marrin edhe infeksione të rënda. Problem është ngrohja, mungesa e filmave të grafive dhe mungesa e specialisteve në shërbimet e ORL dhe dermatologjisë”, deklaroi Deda.

Ai tha se, “shëndetesia falas është një iluzion që ekziston vetëm në mendjen e Beqajt dhe Ramës”. “Ka vetëm koncesione dhe tendera me shumë 380 milionë euro në 900 ditë, pa asnjë investim real në shëndetësi”, u shpreh Deda.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta