Lagarde fiton mandatin e dytë në krye të FMN-së

19/02/2016 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë zyrtarisht të ditur këtë të premte se, i ka dhënë drejtueses menaxheriale, Christine Lagarde, një mandat të dytë 5-vjeçar.

Lagarde, e cila është e para grua që mban këtë post, ishte e vetmja kandidate e nominuar. Mandati i dytë i saj nis që prej 5 korrikut të këtij viti. Lagarde, 60 vjeç, u emërua si drejtuesja e 11 menaxheriale e FMN-së në vitin 2011.

Francezja ka udhëhequr agjencinë ndërkombëtare të huadhënies mes krizës europiane të borxhit dhe një periudhe globale të stanjacionit ekonomik, të cilën ajo vet e përkufizon si “mediokriteti i ri”.

Përmes një deklarate, Aleksei Mozhin, kryetar i bordit ekzekutiv të FMN-së, bën të ditur se anëtarët e bordit kanë përshtypje të mira dhe pozitive mbi “udhëheqësinë e fortë dhe të zgjuar të Lagarde. Gjatë periudhave të turbullta të ekonomisë globale, Lagarde forcoi aftësinë e Fondit për të mbështetur vendet anëtare të tij”.

Përpara se të emërohej në krye të FMN-së, Lagarde ishte një gjykatëse ndërkombëtare. Ajo ka shërbyer gjithashtu si ministre e Tregtisë, Agrikulturës dhe Financave në Francë, ndërsa gjatë krizës financiare të vitit 2008, ajo udhëhoqi këshillin e ministrave të Financave dhe Ekonomive të BE-së.

Në dhjetor, Gjykata e Drejtësisë e Republikës franceze urdhëroi Lagarde të merrte pjesë në një gjyq mbi rolin e saj në vendimmarrjen arbitrare të vitit 2008, sipas së cilës iu dhanë 400 milionë euro një biznesnemi francez. Lagarde, e cila në atë kohë ishte ministre e Financave, mohoi të ketë kryer ndonjë parregullsi, ndërsa prokurori që ndoqi këtë hetim, argumentoi se çështja duhej shuar.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta